Dy emigrantë të paligjshëm shqiptarë me banim në Angli janë arrestuar për posedim të lëndëve narkotike. Mediat britanike raportojnë se dy të rinjtë shqiptarë  kishin ngritur një laborator droge, që nga gjyqtarët u cilësua si më modernia që kishin parë ndonjëherë.

Në pranga u vunë shtetasit Rajmond Dani, 24 vjeç dhe Adrian Gollakij, 29 vjeç. Të dy janë dënuar me 18 muaj burg.

Oficerët e policisë gjetën gjithsej 541 bimë në të gjithë shtëpinë, e cila ishte në përmasa të mëdha. Policia gjeti edhe mjete të tjera, që përdoren për rritje të kanabisit.

Avokati i Danit tha në gjyq se ai kishte ardhur në Britani me shpresën që të gjejë punë në ndërtim e jo të merrej me drogë. Sipas tij, Dani nuk e dinte se do të punonte në një fabrikë kanabisi. Ndërsa për Gollakijn u tha se ai po ashtu kishte ardhur në Britani për një jetë më të mirë. Dy shqiptarët kanë deklaruar se janë detyruar të merren me këtë aktivitet, pasi iu kishin borxh personave të tretë, të cilët i kishin ndihmuar për të shkuar në Angli.