Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Manëz të Durrësit. 61-vjeçari quajtur Medi Koleci ka dhunuar më sende të forta dhe sëpatë kunatën e tij Qefsere Koleci 51 vjeç. Kjo e fundit mbeti e plagosur rëndë dhe u dërgua fillimisht në spitalin e Durrësit, e më pas në Spitalin e Traumës në kryeqytet.

Tvklan.al mëson se 51-vjeçarja ka pësuar fraktura të shumta në trup, pasi i janë thyer gjymtyrë dhe brinjë, si dhe ka plagë të rënda në kokë. Ajo iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Policia e Durrësit thotë se Medi Koleci dhunoi kunatën bashkë me dy djemtë e tij Algert Koleci 32 vjeç dhe Admir Koleci 28 vjeç.

SI NISI KONFLIKTI

Burime për tvklan.al thonë se ngjarja ka nisur që ditën e djeshme. Dy familjet Koleci kanë banesat ngjitur në Manëz të Durrësit dhe kanë pasur një konflikt pronësie për një rrugë. Për rreth 20 vite, familja e Medi Kolecit kishte mbjellë ullishte në një rrugë që lidhej me banesën e 51-vjeçares së plagosur. Për shkak se kishte bllokuar pronën, ditën e djeshme forcat e INUK Durrës shkuan për të prishur ullishten e 61-vjeçarit Medi Koleci dhe për të hapur rrugën. Ai kundërshtoi forcat e INUK dhe të policisë, dhe u shoqërua në komisariat ku qëndroi gjithë natën. Këtë e konfirmojnë për tvklan.al edhe burime nga Policia e Durrësit.

Pasi doli nga qelia, Medi Koleci shkoi në banesën e tij dhe rreth orës 08:30 u konfliktua me kunatën, Qefsere Koleci. Me ndihmën edhe të djemve, ai dhunoi 55-vjeçaren duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë dhe në trup. Konflikti buron pikërisht nga prona e mbjellë me ullishte nga ana e 61-vjeçarit, e cila bllokonte rrugën e banesës së kunatës së tij. Të njëjtat burime sqarojnë për tvklan.al se gjykata e kishte cilësuar të paligjshme mbjelljen e tokës me ullishte nga Medi Koleci, duke i dhënë të drejtë Qefsere Kolecit. Për këtë arsye, një ditë më parë aty shkuan forcat e INUK për të liruar pronën e zaptuar.

Policia e Durrësit i ka referuar materialet ndaj Medi Kolecit dhe dy djemve të tij për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare e mbetur në tentativë. Ata janë shpallur në kërkim nga ana e uniformave blu. /tvklan