Policia e Vlorës, në operacionin e koduar “Sezoni”, ka zbardhur një seri vjedhjesh të ndodhura në Vlorë, Sarandë dhe Himarë, teksa ka vënë në pranga tre shtetas si dhe u shpall në kërkim një tjetër.

Shtetasit e arrestuar, kryenin vjedhje në ambiente të hapura, në rrugë, kryesisht kundrejt personave të mitur dhe nëpërmjet mashtrimit dhe kanosjes me fjalë u merrnin telefonat celularë, por edhe ndaj personave të rritur duke vjedhur në banesa e lokale.

Emrat

– Kreshnik Yzeiri, 33 vjeç, banues në Vlorë.

– Adriatik Hitaj, 41 vjeç, banues në Tepelenë.

– V.Ç., 24 vjeç, banues në Kuçovë.

– Albi Biçaku, 21 vjeç, banues në Elbasan.

Më konkretisht:

Policia e Vlorës ka bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit Kreshnik Yzeiri, pasi rezulton si autor i dyshuar i disa vjedhjeve, të cilat i kryente në ambient të hapur, në rrugë, kryesisht kundrejt personave të mitur dhe nëpërmjet mashtrimit dhe kanosjes me fjalë u merrte telefonat celularë.

• Më datë 16.06.2017, në lagjen ”28 Nëntori”, i ka vjedhur telefonin, marka ”Dodge” shtetasit K.T., 16 vjeç.

• Më datë 20.06.2017, tek ”Sheshi i Flamurit”, u ka vjedhur celularët, marka ”Samsung”, shtetasve K.H., 20 vjeç, banues në Vlorë dhe shtetasit N.H., 17 vjeç, banues në Vlorë.

• Më datë 23.06.2017, në lagjen ”Pavarsia”, i ka vjedhur telefonin e llojt ”Smartphone” shtetasit K.K., 16 vjeç, banues në Vlorë.

Policia e Himarës ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit Albi Biçaku pasi më datë 24.07.2017 së bashku me shtetasin A.O., 13 vjeç, banues në Librazhd, tek një hotel në Dhërmi kanë vjedhur një shumë prej 100 euro dhe 75 000 lekë të reja.

Gjithashtu më datë 15.07.2017, në një banesë në Himarë kanë marrë disa bizhuteri me vlerë monetare 400 euro dhe në një tjëtër banesë kanë vjedhur një shumë prej 30 000 lekë të reja.

Në Sarandë, Policia ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Adriatik Hitaj, pasi rezulton autor i dyshuar i veprave penale ”Përvetësim i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale, ose veprimtari kriminale” dhe ”Moskallëzim krimi”.

Shtetasit Adriatik Hitaj, i janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale sendet, (1 saldatriçe dhe 2 trapanë), të cilat ja kishte vjedhur shtetasit F.S.

Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi V.Ç., 24 vjeç, banues në Kuçovë, si autor i dyshuar i veprës penale ”Vjedhja”.

Shtetasi V.Ç., ka vjedhur në fshatin Çlirim, Finiq disa sende (1 saldatriçe, 2 tripan, 1 pres alumini, 400 kg alumin në formë shufrash), në një magazinë në pronësi të shtetasit F.S., 59 vjeç, banues në Konispol.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprat penale ”Përvetësim i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale , ose veprimtari kriminale”, ”Moskallëzim krimi”, dhe ”Vjedhja”, të parashikuara nga nenet 287/b, 300, 134 të Kodit Penal.