Policia britanike ka zbuluar në qytetin e Coventry një fermë gjigande artizanale kanabisi, të shtrirë në 3 katet e një ish-diskoteke, që menaxhohej nga dy shqiptarë dhe një vietnamez.

Punishtja me më shumë se 1,000 rrënjë kanabis me vlerë rreth 1 milionë paund, u zbulua kur oficerët thyen dyert e përforcuara të ndërtesës gjatë operacionit të specializuar.

Dy të dyshuar tentuan të largohen prej saj, të cilët u gjurmuan më pas me dronë nga autoritetet dhe u kapën.

Të tre të akuzuarit dolën sot para gjyqit fillestar ku morën masën e paraburgimit për prodhim të drogave të kategorisë B (dytësore).

Shqiptari Andi Qani, 24 vjeç, dhe vjetnamezi Cao Van Vu, 31 vjeç, do të dalin përsëri në gjyq më 12 nëntor. Ndërsa 28-vjeçari shqiptar Adrian Lieshaj, rezultoi i kërkuar edhe në Gjermani për grabitje dhe është objekt ekstradimi atje, prandaj është dërguar në Londër.

Policia tha se ishte habitur nga përmasat e “fermës” me teknika të sofistikuara kultivimi, mbjelljeje dhe ujiteje, të realizuara me pajisje me vlerë më shumë se 150,000 paund.