Dyshohet se e plagosi me armë gjahu aksidentalisht shokun e tij, i cili humbi jetën, shoqërohet në Polici 27-vjeçari.

Rreth orës 23:30 të mbrëmjes së djeshme, në një kodër të fshatit Fushë Bulqizë, shtetasi Klodian Kola, së bashku me shtetasin Elidon Basha, në rrugën Fushë Bulqizë – Kodër Dane, dyshohet se kanë qenë duke gjuajtur me armë gjahu çifte.

Dyshohet se nga pakujdesia shtetasi Klodian Kola ka plagosur shokun e vet, Elidon Bashën, 22 vjeç, i cili ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Tiranës.

Menjëherë pas njoftimit të marrë u ngrit grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Falë veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma e gjahut, një elektrik dore, motomjeti me të cilin këta shtetas kishin shkuar për gjueti dhe sende të tjera të vlefshme që do t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, Kolën për veprime të mëtejshme hetimore. Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Drejtorisë vendore të Policisë Dibër vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, njofton policia.