Dy shqiptarë bashkëmoshatarë 28-vjeçarë janë arrestuar nga policia italiane për kultivim të lëndëve narkotike.

Arrestimi i tyre u bë pas zbulimit të një plantacioni me marijuanë në një zonë të pyllëzuar në San Sebastiano, përgjatë brigjeve të lumit Po.

Të arrestuarit janë Artur Kurti dhe Massimo Vlashi, të dy të pastrehë.

Shqiptarët ishin punëtorë në plantacionin e drogës, ku njëri mendohet se kujdesej për drogën, ndërsa tjetri bënte rojen.

Policia ka dyshime se të rinjtë ishin punësuar nga një grup kriminal dhe po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet.

Nga ana e policisë u sekuestruan 391 bimë narkotike në një lartësi prej dy metrash të mbjella në vazo, gjithashtu dhe 4 kg marijuanë në proces tharjeje, 3 kg marijuanë e tharë gati për shitje si dhe materiale të ndryshme për kultivimin, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve.