Një 33-vjeçar është arrestuar nga policia pasi akuzohen për shpërndarje droge dhe armëmbajtje pa leje.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, si rezultat i një pune 2-mujore të ndjekur me metodat speciale të hetimit, finalizuan me sukses operacionin antidrogë të koduar "White" duke arrestuar në flagrancë shtetasin Mario Beqiri, 33 vjeç, banues në Lushnje.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar, ju gjet 1 dozë me lëndë narkotike e dyshuar kokainë.

Gjithashtu në banesë ju gjet një sasi tjetër rreth 24 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një peshore elektronike e cila shërbente për ndarjen e lëndës në doza, një armë zjarri pistoletë e markës ECOL Special, një krehër, tre fishekë, një thikë, 110 euro, 400 dollarë si edhe automjeti i markës "Audi A3" .

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve dhe municionit luftarak" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje i armëve të ftohta".