Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë shtetasin Dritan Çina 45 vjeç, banues në qytetin bregdetar.

Ky shtetas është pikasur nga policia në lagjen nr. 12 dhe është prangosur në vendngjarje pasi ka thyer xhamin e mjetit tip Nissan në pronësi të shtetases B.I. ku ka marrë 1 telefon celular, 7 000 lekë dhe sende personale.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar shtetasit të mësipërm iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Heroinë. Por ajo që e rëndon edhe më shumë pozicionin e 45-vjeçarit që ra në pranga është fakti se ai rezulton autor edhe i tre vjedhjeve të tjera në automjete të qytetarëve durrsakë.

Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova shkencore se Dritan Çina dyshohet si autor i ngjarjeve të mëposhtme:

  1. Më datë 17.05.2017, në Shkallnur, Durrës dyshohet se ka vjedhur pasqyrat e mjetit, në pronësi të shtetasit B.H.
  2. Më datë 03.12.2017, në lagjen Nr.17/1, Durrës dyshohet se ka vjedhur sende personale në mjetin e shtetasit B.K.
  3. Më datë 03.12.2017 dyshohet se ka vjedhur kasetofonin në mjetin tip Volksvagen, në pronësi të shtetasit A.B.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale "Vjedhja" dhe "Prodhimin dhe shitja e lëndëve narkotike", parashikuar  në nenet 134 dhe 283/ 1 të Kodit Penal.