Një person ka humbur jetën dhe shoku i tij është plagosur nga një atentat me armë zjarri pasditen e sotme në kryeqytet.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:50 në rrugën “Shefqet Musaraj”, pranë ish-parkut të autobusëve. Dy personat fillimisht u raportuan të plagosur, ndërsa njëri prej tyre ndërroi jetë në spital. Viktima është Emiljano Boçi 32 vjeç me precedent penal, ndërsa i plagosur ka mbetur M. Disha 27 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia sqaron se “në një mjet është gjetur i plagosur me armë zjarri shtetasi E.B., 32 vjeç,  i cili u dërgua menjëherë në spital, ku ka ndërruar jetë. Ndërkohë në spital ka shkuar i dëmtuar me armë zjarri në shpatull edhe shtetasi M.D., 27 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën”. Dy të rinjtë janë qëlluar në momentin kur kanë hipur në makinë.

Mësohet se Emiljano Boçi ka qenë një person i njohur për policinë, pasi në vitin 2010 ai është dënuar për tentativë vrasje. Ndaj dhe pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes.

Ndërsa 27-vjeçari i plagosur rezulton të jetë mik i viktimës, të cilët së bashku ishin në një kafe pranë vendit ku ndodhi ngjarja.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e policisë ku po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.