Policia Kufitare në doganën e Qafë-Botës në Sarandë ka arrestuar një 25-vjeçar, të cilit iu sekuestruan një shumë e konsiderueshme parash.

Denis Duro nga Korça, po transportonte me një furgon me targa BV 67 KWN lavatriçe dhe frigoriferë, por brenda mallrave, u zbuluan 145.220 Paund anglezë dhe skocezë.

Strukturat operativo – hetimore të Doganës në Sarandë në bashkëpunim me Policinë, kanë ndaluar në aksin rrugor Qafë-Botë – Sarandë automjetin që drejtohej nga ky shtetas dhe e kanë shoqëruar në PKK Kakavije për një kontroll të imtësishëm me Skaner, pasi Strukturat operativo – hetimore të Doganës dhe Policia dispononin informacion se ky shtetas po transportonte një shumë të madhe parash, të cilat nuk i kishte deklaruar në Kufi.

Pas kontrollit të imtësishëm dhe me skaner të bërë në Kakavijë, në disa lavatriçe, Policia dhe Strukturat operativo – hetimore të Doganës, gjetën dhe sekuestruan shumën prej 145 220 Paund anglezë dhe skocezë.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Denis Duro dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprime të mëtejshme.