Një 47-vjeçar shqiptar u ekzekutua të martën në São Paulo të Brazilit. Viktima është Ilir Zelka nga Tirana dhe sipas mediave vendase, ai ndodhej i ulur në një restorant në zonën e Jardins, kur u qëllua për vdekje nga një person ende i paidentifikuar.

Zelka mësohet se po qëndronte në një hotel të zonës, që prej 20 Nëntorit. Në momentin e vrasjes, ai ndodhej i ulur në bar restorant Zurich, duke ngrënë mëngjes. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 11:10, me orën lokale.

Dëshmitarë i thanë policisë se autori lëvizte me motor, ishte i veshur me një bluzë të kuqe dhe në kokë mbante kokore ngjyrë rozë. Ai u afrua dhe qëlloi disa herë në drejtim të 47-vjeçarit, pa thënë asnjë fjalë dhe më pas u largua me shpejtësi. Autori e braktisi motoçikletën me të cilën udhëtonte jo shumë larg nga vendi i ngjarjes. Mjeti u sekuestrua nga autoritetet policore.

Ilir Zelka u dërgua në spital, ku dhe ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra. Mediat braziliane shkruajnë se policia ka nisur hetimet për vrasjen, ndërsa motivet deri më tani mbeten mister.