Një aksident rrugor tragjik në Lamporecchio të Italisë, natën e së shtunës, i ka marrë jetën një të riu nga Shqipëria.

Ishte afërsisht ora 3:30, kur viktima i identifikuar si shtetasi Kledis Gixhari 18 vjeç, me origjinë shqiptare, teksa po drejtonte një motor, për arsye që mbeten për t’u zbardhur, humbi kontrollin. Ai u rrëzua para portës së një shtëpie, duke përfunduar drejt kangjellave të hekurit.

Sipas asaj që raportojnë mediet italiane, 18-vjeçari përplasi kokën dhunshëm në asfalt, duke humbur jetën.

Së bashku me të në motor ishte dhe një djalë tjetër, i cili fatmirësisht nuk pësoi dëmtime të rënda. Ai u transportua në spitalin në Empoli për trajtimin e nevojshëm mjekësor, e ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti ndodhi në rrugën Giuseppe Di Vittorio, në lagjen e Lamporecchio-s. Dy ambulanca nga shërbimi publik i shpëtimit i Larçiano-s dhe një patrullë me karabinierë mbërritën në vendngjarje, por ndërhyrja dhe tentativat e tyre për ta mbajtur 18-vjeçarin shqiptar në jetë, ishin të padobishme.

S.L.