Detaje të reja zbulohen në lidhje me jahtin “Atik Bey”, i gjetur i braktisur në ujërat mes Shqipërisë dhe Malit të zi nga një peshkarexhë e portit të Shëngjinit. Jahti që u gjet me motorin e ndezur dhe është prodhim i vitit 2018, me vlerë rreth 100 mijë euro, është në pronësi të biznesmenit turk, Sevgin Yavuz.

Mësohet se Yavuz mund të jetë vrarë ose mbytur dhe kjo mund të jetë një nga arsyet që jahti luksoz u braktis me motor të ndezur në det të hapur. Gjithsesi hetimet për këtë çështje vijojnë ende.

53-vjeçari është një biznesmen mjaft i famshëm në Turqi dhe së fundmi kishte ardhur për pushime në bregdetin shqiptar. Më parë ai kishte qenë në Malin e Zi dhe kishte dalë me jaht nga porti i Budvës.

Jahti luksoz “Atik Bey”, i gjatë 14 metra u pikas nga peshkaresha “Esperanca”. Peshkatarët u bënë kurioz pasi jahti lëvizte pa një drejtim të qartë dhe për këtë arsye ata njoftuan Kapitanerinë e portit të Shëngjinit dhe QNOD-në. Brenda jahtit u gjetën 2 pasaporta turke dhe njëra prej tyre i përket shtetasit Sevgin Yavuz.