Personi që shihni në fotografi është Gersi Ura, 22-vjeçari shqiptar i cili mbeti i vdekur në një aksident tragjik mëngjesin e kësaj të enjte në Fano të Italisë. Fotografia publikohet nga mediat lokale, që raportojnë se Gersi ishte i fejuar dhe kishte një vajzë 2-vjeçare.

Ishte pikërisht familja destinacioni i tij, kur ndodhi aksidenti që i mori jetën.

Gersi, i cili punonte si kamarier, kishte shërbyer deri vonë në lokalin “Taverna dei Pescatori” në Fano, në zonën e Lidos. Pasi la punën aty, raportohet se kishte kaluar një copë kohë me miqtë e më pas ishte nisur drejt banesës ku jetonte, në zonën Torno.

Disa dëshmitarë thonë se e panë të riun të rrëzohej nga skuteri duke u përplasur dhunshëm me mbrojtëset metalike të rrugës e më pas në një kanal anë rruge. Aksidenti ndodhi rreth orës 06:30.

Në vendngjarje shkuan ekipet e emergjencës, por përplasja rezultoi fatale për Gersin, dhe atyre s’iu mbeti gjë tjetër, veçse të konstatonin vdekjen e shqiptarit. Mbetet ende mister shkaku se pse i riu humbi kontrollin e skuterit.