Shqiptari i arrestuar për sasinë e drogës 830 kg kanabis e marijuhanë është Osmen Lika. Identiteti i 35-vjeçarit bëhet me dije nga mediat italiane këtë të mërkurë. “Il Tirreno” ka publikuar edhe foton e të ndaluarit, të njohur edhe si “Osli”.

Droga, sipas të njëjtave burime, është gjetur në një garazh në Livorno dhe vlera e saj nëse hidhej në treg vlerësohet se do të arrinte rreth 2 milionë euro.

Operacioni që çoi në arrestimin e 35-vjeçarit erdhi pas një sinjalizimi në “YouPol”, një aplikacion i policisë italiane ku qytetarët mund të sinjalizojnë për një krim, i ngjashëm me “komisariatin dixhital” të policisë shqiptare.

Në denoncimin në aplikacion, thuhej se një shtetas i huaj në zonën “Montebello” lëvizte me një makinë gri. Pas kontrollit në zonën e sinjalizuar, agjentët e kanë gjetur të dyshuarin në bordin e automjetit teksa po bëhej gati për të hyrë në një garazh, në rrugën “Ebat”.

Në brendësi të automjetit, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruar një pistoletë lodër, imitim i një arme reale.