Një aksident është regjistruar në aksin nacional Berat-Skrapar, në fshatin Vërtop. Mjeti tip Audi, me targa AA 723 LK, që drejtohej nga një 28-vjeçare është rrëzuar nga ”Ura e Vërtopit” dhe ka përfunduar disa metra poshtë në zhavorrin e lumit Osum. Si pasojë e rrëzimit, drejtuesja e mjetit Anxhela Ibra 28-vjeçe, është plagosur rëndë, ndërkohë që pasagjeri që udhëtonte me të nuk ka pësuar lëndime.

Pas njoftimit të bërë nga një roje i një fabrike aty pranë që pa gjithë skenën, në vendngjarje kanë mbërritur forca të ushtrisë dhe policisë, të cilët kanë nxjerrë nga makina 28-vjeçaren. E plagosura është transportuar fillimisht drejt spitalit rajonal të Beratit ku, pasi ka marrë mjekimin e parë, është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Policia është duke punuar për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit të rëndë.