Një ngjarje e rëndë u shënua gjatë orëve të pasdites në Kavajë, ku zyra elektorale e PD u qëllua me armë zjarri. Sikundër mësohet, autori që ka qëlluar në drejtim të zyrës është biznesmeni Ndriçim Jonuzi.

Gjatë kësaj përplasje me armë, është plagosur shtetasi Bledi Okshtuni, i cili ndodhet në spital për trajtim mjekësor.

Policia ka identifikuar autorin e plagosjes së një 27-vjeçari në zyrën elektorale të PD në Kavajë dhe është vënë në ndjekje të tij.

“Plagosi me armë zjarri 27 vjeçarin, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.

Vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të Qytetit për kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”,– njoftoi policia.