Shtetasit Luan Beshaj, 72 vjeç, policia e Vlorës i ka vendosur në sekuestro preventive disa pasuri që kapin vlerën rreth 500 000 euro, që dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e pastrimit të parave.

“Në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe në kuadër të procedimit penal të nisur prej vitit 2014, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, bënë zbatimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri dhe objekte, si më poshtë:

• 2 apartamente banimi në Vlorë dhe Orikum;
• 1 pemishte në Radhimë;
• 2 automjete;
• 2 llogari bankare;

Vlera financiare e këtyre pasurive kap shifrën rreth 500 000 euro.

Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2014, ndaj shtetasit Luan Beshaj, si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ky shtetas ka qenë i dënuar në Itali, për veprën penale “Trafikim narkotikësh” dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme.

Veprimet e tjera procedurale vijojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.