Një krim i rëndë në familje u arrit të parandalohej mbrëmjen e së dielës, në fshatin Dushk të Lushnjës.

Një 38-vjeçar, pas një konflikti për motive banale me nënën e tij, ka nxjerrë armën, me të cilën edhe mund të kishte qëlluar në drejtim të saj, në rast se Policia nuk do të kishte ndërhyrë në kohë.

Shërbimet e Komisariatit të Lushnjës ishin sinjalizuar për ngjarjen nga banorët e zonës, të cilët kishin dëgjuar sherrin me tone të ashpra që po ndodhte në familje. Ata i kanë telefonuar menjëherë Policisë dhe shërbimet kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.

Është arrestuar në flagrancë Edmond Kadiu, 38 vjeç, i cili kishte qenë për shumë vite emigrant dhe sapo ishte kthyer në Shqipëri. Ndërsa gjatë kontrollit të kryer në banesë, Policia ka gjetur një pistoletë me silenciator dhe 43 fishekë.

I arrestuari dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Të paktën kështu ka deklaruar nëna e tij, gjatë dëshmisë që ka dhënë për Policinë, por edhe disa banorë të fshatit. Megjithatë pritet një akt ekspertimi mjeko-ligjor, për të përcaktuar nëse i dyshuari ka probleme mendore apo jo.