Zbardhet në kohë rekord vrasja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “Aleksandër Moisiu”.

Identifikohet e shpallet në kërkim autori i dyshuar i vrasjes së 28-vjeçarit M.M. Bëhet fjalë për Kastriot Gjuzin 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë. Ekzekutimi i 28-vjeçarit është bërë me motive  hakmarrjeje. Kjo pasi babai i tij, Avni Majollari është një person i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë. Pas një konflikti në vitin 2000, i ati i viktimës vrau me armë zjarri Armando Nelaj dhe Ilir Gjuzin, ngjarje e ndodhur në segmentin rrugor Tiranë–Dajt.

"Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në funksion të zbardhjes së ngjarjes ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor.

Pas një pune intensive dhe profesionale, gjatë gjithë natës dhe orëve të para të mëngjesit, fiksimit të çdo prove në vendngjarje, si dhe një sërë veprimesh të tjera hetimore, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.

Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në D.V.P. Tiranë, bënë shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar:

• K.Gjuzi, 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.

Ky shtetas dyshohet se rreth orës 20:25, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, për motive hakmarrjeje ka vrarë me armë zjarri shtetasin M.M., 28 vjeç.

Vijon puna intensive për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Vrasjes për gjakmarrje” , “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 78/a dhe 278/2 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit K.Gj."