Mediat greke kanë zbuluar emrin e biznesmenit shqiptar të arrestuar në Greqi së bashku me 4 persona të tjerë, si pjesë e një rrjeti kokaine në Ballkan. Nga hetimet e policisë greke dhe DEA-s amerikane, rezulton se një 53-vjeçar shqiptar është drejtuesi i organizatës së kokainës.

Ai është Arian Senaj, i cili jeton në Greqi në një vilë në zonën e quajtur Kavuri. Biznesmeni shqiptar është një nga më të pasurit në Shqipëri dhe është i përfshirë në tregtinë e gazit natyror, shkruan gazeta greke “Protothema”, raporton “tvklan.al”.

Shqiptari Arian Senaj kishte krijuar lidhje me organizatën e drogës “Kali” në Kolumbi, e cila kishte dërguar në Ballkan edhe kokainën të paketuar me logon e “PlayBoy”-t. Kokaina ishte e cilësisë së pastër, thonë autoritetet greke. Plot 21 kg kokainë u sekuestrua gjatë operacionit antidrogë. Gjysma e saj u gjet në pronat e biznesmenit grek Sakis Karatzounis kurse pjesa tjetër në makinën e një 35-vjeçari shqiptar, pjesë e këtij rrjeti.

Deri tani janë arrestuar 5 persona; 4 shqiptarë mes të cilëve biznesmeni Arian Senaj dhe i pesti është biznesmeni grek Karatzounis. Emri i Arian Senajt është treguar nga vet biznesmeni grek, i cili ka treguar emrin edhe të njërit prej shqiptarëve të tjerë të arrestuar, Sami H.

Sakis Kechagioglu, avokati i biznesmenit shqiptar, duke folur për gazetën “Protothema” ka thënë: “Sekuestrimi i sasisë së madhe të drogës është fakt i padiskutueshëm. Hetimi është përqendruar për të evidentuar përgjegjësit. Klientët e mi thonë se janë të pafajshëm. Njëri prej klientëve të mi është njëri nga sipërmarrësit më të rëndësishëm në Shqipëri me një aktivitet të njohur ndërkombëtarisht. Shpresoj që pretendimet e tij për pafajësi të jenë të vërteta”.

Si funksiononte rrjeti i drogës

Kokaina vinte direkt nga Kolumbia dhe magazinohej kryesisht në Athinë. Përgjegjës për ruajtjen e saj ishte pikërisht biznesmeni grek dhe ish-Presidenti i ekipit të futbollit të Trikallas, Sakis Karatzounis. Një pjesë e kokainës shitej në kryeqytetin grek, kurse pjesa tjetër trafikohej në Mikonos për t’iu shitur klientëve VIP. Vlera e 1 gr kokainë kushtonte më e pakta 100 Euro. Hetuesit kanë krijuar dyshimet e arsyeshme mbi bazë të provave dhe dëshimeve të siguruara se biznesmeni shqiptar Arian Senaj ishte truri dhe financieri i kësaj organizate dhe merrej personalisht me gjetjen e kokainës.