Një mjeke e urgjencës së Spitalit Rajonal të Fierit është pezulluar nga detyra me vendim gjykatë, pasi është cilësuar fajtore për mjekim të pakujdesshëm për vdekjen e 21-vjeçares Xhuljeta Gjeka.

Gjykata ka vendosur pezullimin nga ushtrimi i detyrës së mjekut për shtetasen Ina Ruzhdija, me detyrë mjeke në Repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier.

Me vendimin Nr. 925, datë 21.05.2018, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier duke caktuar masën e sigurimit personal ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga neni 240 pika 1 germa “a” e K. Pr. Penale, në ngarkim të shtetases Ina Ruzhdija, me detyrë Mjeke Urgjence në Repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mjekimit të pakujdesshëm” të parashikuar nga neni 96/1 i K.Penal me pasojë vdekjen e të ndjerës Xhuljeta Gjeka e moshës 21 vjeç, banuese në fshatin Mujalli, Fier.

Pezullimi nga detyra i mjekes u vendos pasi Gjykata u njoh me faktet, provat dhe aktet e ekspertimit mjekoligjor të IML Tiranë të mbledhura në kuadër të procedimit penal datë 19.02.2018 të regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier.

Rezulton se, më datë 12.02.2018, mjekja roje e urgjencës Ina Ruzhdija nuk ka vizituar, shtruar dhe mjekuar pacienten Xhuljeta Gjeka, e cila është dërguar nga familjarët e saj në gjendje të rëndë shëndetësore në Repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier.

Pavarësisht insistimit të familjarëve për mjekimin e Xhuljetës pasi ajo kishte temperaturë të ulët, mjekja Ina Ruzhdija nuk i ka dhënë ndihmë mjekësore pacientes, duke u thënë familjarëve që ta merrnin në shtëpi pasi gjendja e saj ishte gripale.

Pasi është dërguar në banesë, gjendja shëndetësore e Xhuljetës është përkeqësuar brenda pak orësh, fakt që i ka detyruar familjarët e saj ta dërgonin përsëri në Spitalin Rajonal Fier, ku ajo ka humbur jetën në ambientet e këtij spitali.

Nga ana e Prokurorisë Fier po vazhdojnë hetimet në lidhje me individualizimin e përgjegjësisë penale të stafit mjekësor pranë Spitalit Rajonal Fier.