“Gjithçka ndodhi pas një konflikti të çastit”. Ky ka qenë rrëfimi i autorit që vrau me thikë një adoleshent në Fier. Ai ka shprehur pendesë për krimin gjatë marrjes në pyetje. Burime nga policia thanë për ABC News se 16-vjeçari me inicialet D.V. ndodhej bashkë me një shokun e tij pranë kryqëzimit të ‘Zogut të Zi’ kur është konfliktuar me autorin me iniciale F.G.

Ky i fundit ka qenë i vetëm dhe i armatosur me thikë. Ai fillimisht ka debatuar me viktimën dhe më pas janë përplasur fizikisht. Në përleshje e sipër autori nxjerr thikën dhe e godet 16-vjeçarin në kraharor.

Shoku i viktimës është larguar nga vendi i ngjarjes pasi ka njoftuar policinë dhe urgjencën e spitalit. Plaga ka qenë e rëndë duke bërë që adoleshenti të ndërrojë jetë në spital. Ndërsa autori i krimit u dorëzua pas disa orë negociatash të policisë. Kjo e fundit zbuloi vendin ku ai fshihej në një banesë të të afërmëve në Fier dhe e bindi të dorëzohej. Policia tha se viktima bashkë me disa shokë të tij ishin parë para dy javësh pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Autori dhe viktima ishin nxënës të së njëjtës shkollë, por nuk shoqëroheshin bashkë.