Frika e hakmarrjes pas varjes së Agim Bucit, e kryer nga i biri në grabitje, ka detyruar Petrit Kurtin të largohet nga Shqipëria bashkë me djemtë e tij. Nuk dihet saktë vendi ku ai ka zgjedhur të largohet, por dalja nga Shqipëria e 56-vjeçarit dhe e dy djemve të tij është konfirmuar për TV Klan nga burime të policisë.

Të afërm të familjes së Kurtit që kanë mbetur në shtëpi, nuk pranojnë të flasin para kamerës. Ata thonë se kanë mundur të flasin vetëm një herë me të, kur ka telefonuar për t’iu treguar se ishte shëndoshë e mirë. Por ata thonë se nuk kanë mundur të mësojnë vendin ku ai ndodhet tashmë.

Hetimet e Prokurorisë së Tiranës ndaj djalit të Petrit Kurtit, Vladimirit dhe bashkëpunëtorit të tij Ruzhdi Hoxha, ende vijojnë ndonëse ende nuk është gjetur arma e krimit.