Policia italiane ka shkatërruar një grup, i cili merrej me kontrabandimin e emigrantëve nga Italia drejt vendeve të tjera të Europës. Sipas mediave italiane, grupi i trafikut të klandestinëve përbëhej nga katër shtetas italianë dhe dy turq.

Ata merrnin nga 3-5 mijë euro për Austri, Gjermani, Slloveni, ndërsa kjo shumë shkonte edhe më shumë nëse klandestinët kërkonin një shteg apo destinacion më të largët. Pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Bolonjës, karabinierët në Carpi arrestuan pesë persona, të akuzuar për hyrjen dhe transportin ilegal të emigrantëve të huaj në territorin italian dhe në pjesë të tjera të Evropës.  

Ky grup ishte me bazë në Karpi, ndërsa në operacion u përfshin 40 karabinierët si dhe u përdorën disa helikopterë për kapjen e tyre. Mediat italiane raportojnë se në mesin e të arrestuarve ndodhet edhe një shtetas shqiptar, i cili dyshohet të jetë pjesë e kësaj skeme, por nuk jepet asnjë detaj.

Midis të arrestuarve është një 45-vjeçar italian, pronar i një bari në Carpi, i konsideruar si një nga krerët dhe një nga organizatorët e trafikut nga Turqia në Greqi e më pas në Itali nëpërmjet brigjeve të Adriatikut. Pjesë e rëndësishme e grupit ishte edhe një 39 vjeçar turk, promotor dhe përfitues i drejtpërdrejtë i fitimeve të paligjshme.

Gjatë kontrollit këtë mëngjes, gjysmë kilogram kokainë dhe një armë u kap në posedim të njërit prej të arrestuarve.