Policia e Shtetit ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, armë të ftohta si dhe një sasi lënde narkotike e llojit kanabis.

Nga burimet zyrtare mësohet se në pranga kanë përfunduar shtetasit E. D., 33 vjeç dhe  E. B., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6 operacioni policor i koduar “Aleati 2” Në pranga dy shtetas. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, një armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde e dyshuar kanabis. Komisariati i Policisë Nr. 6 në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe falë një pune të mirëorganizuar hetimore finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Aleati 2”, në kuadër të të cilit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– E. D., 33 vjeç, banues në Yrshek, Tiranë;

– E. B., 25 vjeç, banues në Yrshek, Tiranë;

Për shtetasit e lartpërmendur shërbimet e policisë të komisariatit Nr.6 dispononin informacion se lëviznin me sende të kundërligjshme me vete.  Menjëherë nga shërbimet e policisë është organizuar operacioni policor “Aleati 2” për kapjen e tyre në flagrancë. Pasi shërbimet e policisë i kanë konstatuar këta dy shtetas në një lokal në zonën e Yrshekut, u kanë ushtruar kontroll fizik. Gjatë kontrollit fizik shtetasit E. D., iu gjet një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, ndërsa shtetasit E. B., iu gjet një armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde e dyshuar kanabis.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, një armë e ftohtë thikë dhe një sasi lënde e dyshuar kanabis. Materialet proceduarale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “ Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit E. D. dhe për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” e “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në ngarkim të shtetasit E. B.