Një 48-vjeçare është gjetur e mbytur në lumë mbrëmjen e sotme. Kufoma e gruas është gjetur në lumë, në afërsi të Urës së Kuçit.

Sipas “Balkanweb”, kanë qenë fermerët e fshatit Sheq-Gajdë, ata që duke u kthyer nga puna në tokat bujqësore, kanë parë në lumë një trup pajetë që lundronte dhe kanë njoftuar policinë.

Pas mbërritjes së policisë në vendngjarje, është nxjerrë nga lumi kufoma e gruas, që ishte e dekompozuar. Kufoma e gruas është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal Berat, e cila po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.

Në morgun e Spitalit Rajonal Berat ka mbërritur bashkëshorti i gruas, që ka bërë edhe identifikimin e kufomës. Gruaja është Drita Breganaku, 48-vjeçe, banuese në lagjen Uznovë, e martuar dhe me 2 fëmijë.

Burime nga morgu i spitalit bëjnë me dije se në trupin e gruas nuk ka shenja dhune dhe paraprikisht mendohet se gruaja është mbytur. Të njëjtat burime konfirmojnë se  trupi është i dekompozuar, që do të thotë se ajo ka më shumë se dy javë në ujë.

Bashkëshorti ka deklaruar se nuk kanë pasur konflikte dhe se familjarët, pas largimit të saj kanë dyshuar se mund të kishte rënë aksidentalisht në lumë. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.