Gjendet një fuoristradë e qëlluar me breshëri plumbash dhe me njolla gjaku, pranë shinave të trenit në fshatin Shtoj i Vjetër, në Shkodër.

Burime nga policia e Shkodrës bëjnë me dije se makina është gjetur tri ditë më parë, ndërkohë që brenda saj, pas këqyrjes janë konstatuar edhe njolla gjaku.

“Panorama” raporton se ajo që dyshohet momentalisht është se një person që ka qenë brenda makinës është plagosur. Deri më tani ende nuk ka asnjë lloj informacioni per identitetin apo vendndodhjen e ketij personi te dyshuar.

Megjithatë sipas burimeve nga vendngjarja por edhe burimeve policore, ka një dyshim se kemi të bëjmë me një person problematik, që dyshohet se ka qenë brenda fouristradës.

Forcat e policisë kanë shoqëruar shumë persona në zonën ku ka ndodhur ngjarja ndërsa po ashtu janë marrë në pyetje shumë të tjerë. Një orej të dyshuarve kryesore, por jo i vetmi sipas burimeve nga vendngjarja dhe policisë është edhe shtetasi Artan Koçeku.

Ky i fundit është person i shpallur në kërkim që në dhjetorin e 2017-ës si autor i dyshuar për vrasjen e shtetasit Angjelin Shkambi, ngjarje e ndodhur te varrezat e Stom Golemit. Kjo vrasje dyshohet nga policia se erdhi pas një borxhi mes viktimës dhe autorit për pazare droge.

Fouristrada e cila është qëlluar me breshëri plumbash natën e 14 tetorit të këtij viti rezulton se ka targa të vjedhura dhe të mbivendosura. Në spitalin rajonal të Shkodrës sipas burimeve që nga nata e 14 tetorit nuk ka shkuar asnjë person i plagosur me armë.

Vendi ku ka ndodhur ngjarja është një rrugë dytësore që nuk ka qarkullim të shpeshtë dhe larg vëmendjes së njerëzve, detaje këto që e vështirësojnë punën e efektivëve. Deri më tani kjo ngjarje nuk është bërë e ditur nga policia e Shkodrës në njoftimet e saj ashtu si në të gjitha rastet e tjera.

Policia po heton për të zbardhur të plotë këtë ngjarje mbi autorët dhe për të gjetur nëse personi i plagosur ka qenë i dyshuari Artan Koçeku apo ndonjë tjetër.