Policia në Spanjë ka gjetur makinën dhe armën e krimit që u përdor në vrasjen e shqiptarit Fatmir A.  

Automjeti u gjet i djegur poshtë një ure disa kilometra larg vendit ku kishte ndodhur vrasja më 5 shtator. Brenda makinës në flakë u gjet edhe arma e krimit, një pistoletë, e cila është dërguar në laboratorin e armëve për t’iu nënshtruar ekspertizës balistike.

Dyshohet se Fatmir A. 43-vjeçar, është ekzekutuar për hakmarrje. Në vitin 2008, ai kishte vrarë në Spanjë një 26-vjeçar shqiptar të quajtur Alfons C. Në atë kohë, Fatmir A. 32 vjeç, u dënua me 6 vite burg. Fatmir A. dhe Alfons C. shkëmbyen zjarr nga makinat e tyre në një pikë karburanti. Sipas raportimit të mediave spanjolle 10 vite më parë, 26-vjeçari kishte qëlluar i pari, ndërsa Fatmir A. ishte kundërpërgjigjur.

Ata kanë pasur një konflikt më herët me njëri-tjetrin, dyshohet për trafik droge apo prostitucion. Dhjetë vite më vonë, Fatmir A. u ekzekutua mesnatën e 5 shtatorit në zonën e Reus në provincën Tarragona të Katalonjës.

Autoritetet spanjolle vijojnë me hetimet për zbardhjen e krimit.