Gjykata ka vendosur të lërë në burg Vladimir Gjutën, i cili u arrestua më 10 shkurt me akuzën se tentoi të hynte në selinë e PS me armë. 

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke vendosur “arrest me burg” për Gjutën. Ai akuzohet për veprat penale “Armëmbajtje pa leje”, “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë avokati i tij deklaroi pas seancës se kërkesa e prokurorisë bazohej vetëm në faktin e sasisë së parave që kishte me vete. Sipas tij, klienti i ka pasur paratë për t’i thyer në Exchange dhe për t’i përdorur për biznesin e tij.

Më 10 shkurt, Gjuta u ndalua nga Garda pranë selisë së PS, teksa kishte me vete një pistoletë të mbushur, një karikator me 22 fishekë, si dhe një shumë e madhe eurosh, paundësh dhe dollarësh amerikanë, ku dyshohet të kenë qenë mbi 100 mijë euro.