Një i ri shqiptar është goditur me thikë në Itali (në komunën Campogalliano, Modena) ditën e djeshme dhe tashmë po rikuperohet në spital.

Identiteti i shqiptarit nuk bëhet me dije, raportojnë mediat lokale, të cilat japin vetëm moshën e tij, 19 vjeç.

Konfliktin mes të riut shqiptar, një aziatiku dhe një të riu nga Europa Lindore (ndoshta Polonia) nisi fillimisht në autobus, teksa 19-vjeçari u ka kërkuar dy agresorëve që të ulin volumin e muzikës që po dëgjonin. Në stacionin e radhës, pasi i hodhën çantën nga dritarja e autobuzit, pasi e ngacmuan sërish, dy agresorët i dhanë edhe goditjen e fundit me thikë.

19-vjeçari është student në Institutin “Vallauri di Carpi” dhe sipas dëshmitarëve ai u la i gjakosur në mes të rrugës derisa erdhën karabinierët.

Agresorët ia mbathën dhe policia është në kërkim të tyre, ndërsa shqiptari u transportua në spital. Mjekët kanë caktuar ndaj tij një prognozë shërimi 30 ditore.