Policia italiane Pordenone, gjatë hetimeve për bandën shqiptare, të specializuar në vjedhjet e vilave dhe shtëpive në verilindje ka gjetur dhe ka sekuestruar 1.3 kilogramë bizhuteri. 

Nga 66 grabitje të kryera në harkun kohor nëntor 2018 – shkurt 2019, shqiptarët kishin grabitur bizhuteri, gurë të çmuar, ora, para dhe armë zjarri. Të gjitha objektet e vjedhura kapnin vlerën e 2 milion eurove.

Policia identifikoi vende të fshehta të përdorura nga grupi. Një prej tyre ishte një zonë e pyllëzuar pranë lumit në Conegliano. Aty, grupi kishte varrosur xhevahiret dhe një pistoletë Smith & Wesson.

Për këto grabitje në prangat e policisë kanë rënë tre shqiptarë: Darjel Prushi, 27 vjeç nga Kruja, me precedentë, me vendbanim në Conegliano, Edmod Ethemaj, i njohur si “Mondi”, 35 vjeç nga Peqini dhe banues në Conegliano, dhe Nikoll “Niku” Dobrozi, 27 vjeç, nga Mamurrasi, pa një vendbanim fiks në Itali.

Deri më tani, një pjesë e bizhuterive u janë kthyer pronarëve të tyre të ligjshëm, ndësa një pjesë tjetër mendohet se është sjellë në Shqipëri.