Një ditë pas grabitjes së bankës në ambientet e zyrave qendrore të Hipotekës në Tiranë, policia ka arrestuar punonjësin e kompanisë private të sigurisë.

Në pranga është vënë roja i objektit, F.F., 48 vjeç, ndërsa është paditur në Prokurori dhe përgjegjësi i sigurisë së sallës, R. K., 61 vjeç.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre, pasi nuk kanë vepruar në momentin kur autori, i armatosur, hyri në ambientet e Hipotekës dhe nën kërcënimin e armëve grabiti rreth 300 mijë lekë të rinj.

Njoftimi i policisë: 

Më datë 15.01.2018, u arrestua në flagrancë per veprën penale të shpërdorimit të detyrës shtetasi F.F., 48 vjeç, banues në Kashar, me detyrë punonjës i SHPSF-së dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin R. K., 61 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë operator i qëndrës së kontrollit “SHPSF- së, pasi rreth orës 14:05, në rrugën “Panorama”, brenda godinës së ZVRPP-së, një person me kapuç, ka vjedhur nën kërcënimin e armës një sasi lekësh në Agjencinë e filialit të një Banke të Nivelit të Dytë, që ndodhej në sallën e shërbimit e cila ishte në ruajtje të F.F. Parashikuar nga Nenet 136 e 248 të Kodit Penal.