Një shqiptare që po drejtonte një automjet, ka përplasur një motoçiklist mbrëmjen e së shtunës në Milano dhe më pas ia mbathi në këmbë nga vendi i aksidentit, pa i dhënë ndihmën e parë të aksidentuarit në gjendje të rëndë.

Mediet italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur në Milano në orën 23:36 në Via Marche, ku drejtuesja shqiptare bashkë me pasagjerin që ndodhej në makinën e saj, e kanë lënë drejtuesin e motorit, një 34-vjeçar pa ndjenja e të gjakosur mbi kofanon e makinës dhe ia kanë mbathur. 

29-vjeçarja shqiptare po udhëtonte me një “Volkswagen Touareg” gri me targa shqiptare AA 215 OK kur ndodhi aksidenti, ndërsa motoristi me një Kavasaki Ninja.

Sipas disa dëshmitarëve në vendngjarje, gruaja menjëherë pas asaj që kishte shkaktuar, ka dalë e alarmuar dhe ka thënë: “Oh Zot, unë nuk mund të rri këtu, kam një fëmijë të vogël”. Dhe kështu është larguar direkt duke lënë makinën me dokumente e çdo gjë tjetër aty.

I plagosuri u dërgua menjëherë në spital për ndihmën e parë, ndërsa gruaja është dorëzuar vetë në polici më pas, e shoqëruar nga avokati.