Vidhte aq shpesh celularë dhe portofola saqë nuk mbante mend kujt ia vidhte dhe kujt ja shiste më pas.

E tillë është historia e 60-vjeçarit Luan Satka nga Tirana, i cili për më shumë se pesë muaj angazhoi policinë dhe prokurorinë për identifikimin e tij. Rasti më i fundit i 60-vjeçarit ishte vjedhja e një celulari në recepsionin e një kompanie Call Center.

Taktika qe i ndiqte ishte duke u afruar në sportelet e kompanive private apo zyrave ku bëhen pagesa të ndryshme dhe merrte prej andej celularë apo portofola që liheshin shkujdesur nga persona të ndryshëm mbi sportele.

Por fakti që mbante të veshur gjithnjë të njëjtën bluzë dhe kapele e ka zbuluar më në fund. I pyetur gjatë gjykimit 60-vjeçari Satka ka deklaruar: “Kam vjedhur shumë celularë dhe nuk mbaj mend për rastin që pashë në pamjet filmike.

I vjedh dhe më pasi i shes tek Banka e Shqipërisë, nuk kam lekë për të ngrënë buke dhe ndaj vjedh. Shumicën e kohës e kaloj afër Pazarit të Ri dhe në Laprake. Kam vjedhur shumë telefona celularë dhe portofola dhe nuk mbaj mend se kujt ia kam shitur”.

Pavarësisht sinqeritetit të treguar, Gjykata e Tiranës në fund e dënoi me 9 muaj burgim vetëm për një episod vjedhje, ndërsa për të tjerat vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të tyre./TCH