Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 63-vjeçarin Bujar Shazivari, i cili u kap me 11 kg heroinë në Portin e Durrësit.

63-vjeçari udhëtonte me një kamion që transportonte qese plasmasi drejt Italisë, por në kabinën e mjetit u gjet lënda narkotike nga qeni antidrogë dhe me ndihmën e fibroskopit.

Sasia e heroinës u sekuestrua më 11 shkurt në port, ku nga kontrolli i imtësishëm u gjetën 10 pako të mëdha dhe një pako e vogël ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, 11.4 kg, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Kamioni me ngarkesë 15 koli me qese plasmasi ishte me destinacion Firenzen.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.