Ka shkuar në dy bilanci i viktimave që la pas aksidenti i djeshëm në aksin rrugor Fushë Krujë – Laç, në Thumanë, teksa policia e Durrësit informon se ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e trajlerit dhe atë të mjetit ku ndodheshin pasagjeret që humbën jetën.

Ata janë shtetasit B. L., 43 vjeç, banues në Durrës dhe M. P., 26 vjeç, banues në Shkodër.

“Shtetasi B. L., duke drejtuar mjetin tip “Man” (trajler) është përplasur me mjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin M. P. dhe për pasojë janë dëmtuar shtetaset F. G., 39 vjeçe dhe Gj. P., 57 vjeçe, të cilat kanë ndërruar jetë në spital”, informojnë blutë e Durrësit. 

Ndërkohë 26-vjeçari M. P. ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, pasi edhe ai ka mbetur i lënduar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.