Arrestohet një 37-vjeçar nga Lushnja, për armëmbajtje pa leje dhe mosbindje ndaj urdhrit të uniformave blu.

Ai quhet Julian Sulo dhe sipas policisë, ishte duke udhëtuar me një automjet tip BMW të blinduar, kur në lagjen “Gafur Muço” të Lushnjes iu kërkua nga policia të ndalonte për kontroll.

37-vjeçari nuk iu bind urdhrit dhe u arratis, duke braktisur më pas makinën. Ai u largua në këmbë nëpër rrugicat e qytetit. Uniformat blu të Lushnjes dhe FNSH e Fierit u vunë në ndjekje të tij, dhe e arrestuan në lagjen “18 Tetori”.

Në afërsi të mjetit të braktisur u gjet një pistoletë tip “Grand Power Q 100”, një krëhër me 15 fishekë dhe një fishek në folen e fishekut, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.