Ndërhyrja në kohë e patrullës së Policisë Rrugore Durrës, ka prangosur një 31-vjeçar i cili i grabiti me forcë nga qafa varësen një shtetaseje.

Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme, rreth orës 13:00 te mbikalimi në Fushë-Krujë, ku gruaja po priste linjën e transportit publik dhe i riu i ka marrë me forcë varësen dhe më pas është larguar me vrap.

NJOFTIMI I POLICISË

Rreth orës 13:00, te mbikalimi në Fushë Krujë, një shtetase duke pritur linjën e transportit publik, i është afruar një shtetas dhe i ka marrë me forcë nga qafa varësen dhe është larguar me vrap.

Patrulla e Policisë Rrugore të DVP Durrës që ishte me shërbim në afërsi të stacionit, ka ndërhyrë menjëherë duke u vënë në ndjekje të personit. Pas disa minutash bënë të mundur kapjen e tij.

Në përfundim të veprimeve Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin A.Ç., 31 vjeç, banues në Kurbin.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të shtetasit të ndaluar për veprën penale "Vjedhja me dhunë".