Iu bë atentat për herë të dytë, arrestohet pas gati një muaji. Inez Hajrulla është vënë në pranga nga Policia e Vlorës, pasi mundi t’i shpëtonte mbikëqyrjes së saj në rrethana misterioze. 26-vjeçarit iu bë atentat më 10 maj në zonën e bregdetit në Vlorë. 

I riu i shpëtoi breshërisë së plumbave të atentatorëve, të cilët qëlluan në distancë nga një automjet, ndërsa Hajrulla ndodhej i ulur në lokal bashkë me disa miq të tij. Nga kamerat e sigurisë, por dhe nga gëzhojat, Policia arriti në përfundimin se 26-vjeçari u ishte përgjigjur me zjarr autorëve. Por, një ditë pas i riu u dërgua në spital për mjekim, ka arritur t’i shpëtojë Policisë në rrethana ende të paqarta.

AKUZA

Autorët e atentatit, pas largimit nga vendi i ngjarjes dogjën në fshatin Babicë makinën e përdorur “Land Rover”. Nga hetimet e kryera nga Policia ka rezultuar se Inez Hajrulla është kundërpërgjigjur me armë tip pistoletë, në drejtim të automjetit tip fuoristradë ku ndodheshin atentatorët, të cilët janë ende të paidentifikuar. Autorët qëlluan me breshëri automatiku ndaj 26-vjeçarit, por ky i fundit arriti t’u shpëtojë plumbave, ndërsa mori vetëm disa dëmtime të lehta.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbrëmjen e datës 10 maj, mbeti i plagosur rastësisht një 63-vjeçar, i cili ishte ulur në lokal në momentin e ngjarjes së rëndë. Atentati që iu bë të riut në zonën e Ujit të Ftohtë, sipas Policisë, dyshohet se mund të jetë kryer nga katër persona, të cilët ndodheshin në brendësi të automjetit tip “Land Rover” me ngjyrë të zezë. Dyshohet që autorët të kenë qenë të maskuar në momentin kur edhe kanë kryer atentatin. Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë i ka caktuar tashmë Inez Hajrullës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale të “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe vrasje kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë”.

DËNIMET

Inez Hajrulla është një emër i njohur për Policinë, ndërsa në vitin 2017 i shpëtoi edhe një atentati të kryer me lëndë eksplozive në automjetin e tij, ku humbi një këmbë. Atentati ndodhi një prej lokaleve, që në Vlorë njihet si vendi që frekuentohej nga Edison Harizaj, një prej të fortëve të Vlorës, i vrarë vitin e kaluar në Durrës. Hajrulla dyshohet se është pjesë e grupit të Harizajt. 26- vjeçari është djali i një biznesmeni të njohur në qytetin bregdetar dhe njihet si person me rrezikshmëri.

I riu është dënuar dy herë. Në shkurt 2018, Hajrulla ka marrë një dënim me 2 vite heqje lirie për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Dënimi kishte lidhje pikërisht me armën që iu gjet gjatë atentatit me eksploziv, të ndodhur në nëntor të 2017, por ky dënim u pezullua duke e lënë të riun në shërbim prove. Gjithashtu, në fund të vitit u dënua me 8 muaj për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Inez Hajrulla është person i marrë në hetim për zhdukjen e Elvis Troqes në Vlorë, në korrik 2017. Përfshirja e tij në këtë çështje erdhi pasi një nga dëshmitarët, që është personi i fundit që ka takuar 25-vjeçarin Troqe, ka deklaruar për hetuesit se Elvisi ishte larguar nga lokali ku po qëndronin, duke i thënë se do të takonte një shok me emrin Ini, që dyshohet se i referohet pikërisht Inez Hajrullës, pasi në Vlorë njihet si “Ini i Çones”. Përveç zhdukjes së 25-vjeçarit, Hajrulla dyshohet se është përshirë dhe në ngjarje të tjera kriminale, të cilat janë ende të pazbardhura.

Si i shpëtoi atentatit me 300 gramë C4 i rrezikshmi i Vlorës

Në nëntor të vitit 2017, Inez Hajrullës iu bë atentati në makinë. Ndërsa po lëvizte me një automjet tip “Jeep”, makina shpërtheu në ecje në zonën e njohur si Bishti i Kalldrëmit në qytetin bregdetar të Vlorës. Në atë kohë 24 vjeç, Hajrulla mbeti i dëmtuar rëndë. Lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e përparme të motorit të makinës dhe nga shpërthimi i fortë Hajrulla mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët.

Pak sekonda pas shpërthimit, makina u përplas me një tjetër automjet të parkuar në anë të rrugës, ndërsa 24-vjeçari doli i përgjakur nga automjeti. I mbuluar në gjak, i riu u kërkoi ndihmë kalimtarëve që ta dërgonin në spital. Pas dërgimit në spital, ai humbi plotësisht njërën prej gjymtyrëve të poshtme, ndërsa në këmbën tjetër nisi të kryente fizioterapi për të rifituar lëvizjen. Hetuesit thanë se mjeti me të cilin udhëtonte 24- vjeçari është pronë e një personi tjetër, gjithashtu i përfolur për probleme me ligjin.

Por prokurorët dhe Policia lokale thanë se shënjestër ka qenë pikërisht Hajrulla dhe jo pronari i automjetit. Ekspertët pohuan se sasia e më shumë se 300 gramë tritol ishte vendosur jashtë mjetit tip “Jeep”, shumë afër sediljes së shoferit, gjatë kohës kur makina ishte e parkuar gjatë natës. Sipas hetuesve, Hajrulla është pjesë e një grupi kriminal të njohur në Vlorë dhe atentati mund të kishte ardhur për shkak të ndonjë hakmarrjeje të mundshme.

Përveç arrestimit për armëmbajtje dhe mosbindje ndaj Policisë, për të riun ka dyshime se është përfshirë në grabitje dhe plagosje, si dhe për djegien e automjetit të një efektivi policie në Vlorë. Ndërkohë, po në momentin e këtij atentati me eksploziv, i riu ishte duke lëvizur me armë dhe për këtë arsye u vu në pranga.

Marrë nga Panorama