Detaje të reja dalin nga arrestimi i Klajdi Gjeçit, i cili u arrestua dje ai autor i dyshuar për vendosjen e eksplozivit në makinën e biznesmenit Ndue Ratja. Ngjarja në fjalë ndodhi më 30 nëntor të vitit të kaluar pranë kopshtit Botanik në kryeqytet.

Shkak për ngjarjen dyshohet të jetë një konflikt mes Rajtës dhe të atit të Gjecit, i cili ka në pronësi disa magazina. Gjeci njihet si miku i Emiljano Shullazit dhe është arrestuar edhe më herët, në maj të 2015-s për plagosjen e 18-vjeçarit Mateo Zoga. Më herët Rajta ka punuar në këto magazina, ndërsa thuhet se konflikti mes tyre nisi kur nga bilanci rezultoi se mungonin mallra me vlera të mëdha parash.

Po ashtu mësohet se Klajdi Gjeci i ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme Rajtës 20 mijë euro si dëmshpërblim për këtë humbje, por ai nuk ka pranuar duke mohuar të ketë lidhje me humbjen.

Klajdi Gjeci nuk ka dhënë asnjë dëshmi para uniformave blu, duke mohuar kështu të jetë autor i vendosjes së eksplozivit në makinën e biznesmenit të inerteve.