Një 41-vjeçar shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italiane, pasi ka goditur me thikë një bashkëmoshatarin e tij nga Bangladeshi, pronar i një minimarketi në periferi të Romës.

Shqiptari me inicialet L.S. ka shkuar të blejë një bukë në dyqanin afër shtëpisë.

Ka blerë bukën dhe është kthyer në shtëpi. Aty ka nisur një debat me gruan, e cila i ka tërhequr vëmendjen për kusurin gabim që i kishte kthyer pronari i minimarketit, raportojnë mediet italiane.

Sipas policisë së Romës, ka qenë pikërisht bashkëshortja nxitësja e sherrit që degjeneroi deri në plagosje.

Shqiptari ka dalë edhe njëherë nga shtëpia dhe është drejtuar për në minimarket, ku ka nisur të fyejë pronarin e dyqanit. Në debat e sipër, situata është ndezur dhe shqiptari ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur në shpinë bashkëmoshatarin e tij.

Më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Shtetasi nga Bangladeshi është dërguar me urgjencë në spital, ndërkohë që 41-vjeçari nga Shqipëria është arrestuar dhe është dërguar në burg.

M.B.