Flet nga shtrati i spitalit, Preng Gjini 51-vjeçari që iu bë atentat me minë të telekomanduar pasditen e së martës në zonën e ish-NSHRAK-ut në Tiranë.

Sipas grupit hetimor, ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrjeje dhe kishte si qëllim eliminimin e 50-vjeçarit Preng Gjini, i cili mbeti i plagosur rëndë, por vetë Gjini e mohoi dje pasdite pasi u mor në pytje prej hetuesve, duke mos dhënë të dhëna të vlefshme për hetimin.

Gjini thotë se ka qëndruar në Tiranë disa ditë para atentatit, ndërsa ka treguar edhe kontaktet që ka pasur gjatë qendrimit. Ai mohon po ashtu një hasmëri me familjen Reçi.

“Kam qëndruar disa ditë në Tiranë. Ditën e atentatit mora makinën e nipit, pasi e imja është e madhe për parkim. Nuk kam hasmëri, nuk më kanoset njëri dhe nuk ruhesha”, mësohet të ketë thënë ai.

Sipas hetuesve, atentati vjen si pasojë e një zinxhiri vrasjesh të ndodhura gjatë tri viteve të fundit, duke shënuar 5 viktima brenda dhe jashtë Shqipërisë e që duket se zanafillën e kanë te “humbja” e një ngarkese droge me vlerë 3 milionë euro.

Objektivi i kësaj ngjarjeje, i plagosuri Preng Gjini, ishte një ndër personat që u mor në pyetje në fillim të këtij viti, kur u ekzekutua në një atentat me snajper Kastriot Reçi. Ai pati mohuar të kishte lidhje me këtë ngjarje, edhe pse oficerët që po hetojnë ngjarjet kanë dyshime të forta se familja Gjini dhe Reçi po përplasen prej vitesh dhe nga të dyja palët ka pasur viktima, brenda dhe jashtë vendit. Ashtu siç ndodhi vitin e kaluar kur u vra vëllai i Preng Gjinit, Armando Gjini, në mes të Rrëshenit, apo vrasja në 2017-ën e Gaspër Reçit, vëllait të Kastriot Reçit në Itali.