Ervin Memo, 38-vjeçari i cili i shpëtoi mrekullisht atentatit me tritol në makinën e tij në orët e vonë të së shtunës, tregon se ka konflikte vetëm për pronat.

“Nuk kam asnjë lloj konflikti tjetër veç konflikteve për pronat” – kështu mësohet të ketë deklaruar para hetuesve Ervin Memo.

Nga burime të sigurta mësohet se 38-vjeçari është shprehur para hetuesve se kishte konflikte vetëm për shkak të pronave, por se nuk dinte se kë të etiketonte si përgjegjës për vënien e eksplozivit. Kjo, pasi sipas tij, konfliktet nuk kishin qenë aq të ashpra sa të dyshonte se dikush mund ta vriste, raporton “News 24”.

Ndërkohë, mësohet se ai ka treguar se gjithçka ka ndodhur gjatë pak sekondave. 38-vjeçari mësohet të ketë pohuar se sapo ka hipur në makinë dhe e ka ndezur, në çast mjeti është copëtuar si pasojë e shpërthimit.

Sipas burimeve të “News 24”, veç motivit të dyshuar për konflikte pronësie, hetuesit janë duke verifikuar të gjitha pistat e mundshme deri në arritjen e një versioni përfundimtar. Raportohet se janë duke u shoqëruar për t’iu marrë deklarime të gjithë personat që dyshohet të kenë pasur konflikte pronësie me 38-vjecarin Memo, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye të sekretit hetimor.

Familja e 38-vjeçarit ka trashëguar troje ne qytetin e Fierit, pranë Unazës së Re, ku është ndërtuar edhe një pallat që është në proces legalizimi. Ndërkohë, mësohet se familja Memo pretendonte pronësinë e disa sipërfaqeve toke dhe për këtë gjë ka qenë palë në procese gjyqësore.