Një shtetase angleze e quajtur Paige Smith tentoi të vetëvritej vitin e kaluar pasi të fejuarit të saj shqiptar, Fation Ballmi, i mohuan vizën.

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, Paige Smith, 24 vjeç, ishte ngjitur mbi një urë në veri të Londrës, shkruan “The Guardian”.

“Nuk mbaj mend shumë, thjesht po qëndroja atje, mbi urë e duke menduar ‘se do të hidhem’, por pastaj dy oficerë policie, nuk e di prej nga erdhën, arritën të më zbrisnin poshtë.”

Çifti kërkoi vizë për Ballmin në shtatorin e 2017-a, duke qenë se prej 3 vitesh ishin të fejuar. Por dy muaj më vonë autoritetet refuzuan gabimisht duke deklaruar se Smith nuk e kishte pragun e nevojshëm të të ardhurave, 18600 stërlina në vit, për të pranuar të fejuarin e saj në Angli, një kusht i vendosur në atë kohë nga Theresa May.

“Nuk prisja kurrë një refuzim dhe e pata marrë mjaft keq. Unë isha keq mendërisht, duke qenë se prej 11 muajsh isha larg të fejuarit tim dhe për këtë arsye tentova vetëvrasjen. Më dërguan në spital dhe qëndrova atje për më shumë se 24 orë para se të më linin të largohesha”, deklaron Smith.

Më vonë rezultoi se autoritetet kishin bërë një gabim në verifikimin e pagës së shtetases angleze dhe me anë të një gjyqi që verifikoi saktë të ardhurat, u mundësua edhe viza për shqiptarin.

“Të gjithë thonë se kur je një qytetare britanike nuk do të ketë probleme, por në të vërtetë ka. Unë ende nuk kam takuar një shtetas britanik që ka një bashkëshort shqiptar i cili nuk ka patur probleme. Unë mendoj se kombësi të caktuara janë jashtëzakonisht të diskriminuara kur bëhet fjalë për marrjen e vizës. Unë e di se gabimet ndodhin dhe është një departament i madh qeveritar, por duket se po ndodh shumë shpesh”, është shprehur Smith.