Një i moshuar e përndiqte prej muajsh, farmacistja pëson trompozë. Duket si një skenar filmi por ngjarja është e vërtetë dhe ka për protagonist një 70-vjeçar nga Tirana të identifikuar si Jorgo P.

Ky i fundit, është njohur me farmacisten teksa shkonte atje për të blerë ilaçe. Në një prej rasteve, ai hyn brenda banakut dhe i drejtohet farmacistes: “nuk të vjen turp që mendon se të ngacmoj?”.

Prej asaj, dite Jorgo P. e përndiqte edhe në rrugë farmacisten, e shante dhe e ofendonte. Në disa raste, ai e ka ndjekur ndersa ajo shkonte te stacioni i autobusit për në shtëpi.

Mësohet se i moshuari 70-vjeçar kishte marrë informacione edhe për familjarët e farmacistes, të fejuarin e saj që ia quante “dashnori” dhe vendet e tyre të punës.

Në një rast, ai madje kishte shkuar edhe të takonte të fejuarin e saj te vendi i punës.

Fillimisht, farmacistja ka menduar se ai vuante nga probleme mendore, por pasi situata u bë mjaft stresuese ajo vendosi ta denoncojë.

Madje, farmacistja dy muaj ka munguar në punë pasi nga stresi që i shkaktonte i moshuari pësoi trompozë venoze.

Historia e përndjekjes ndaj shtetases së identifikuar me inicialet B.R. filloi në korrik të vitit të shkuar.

I moshuari ka deklaruar se ka pasur disa probleme me farmacisten por nuk e ka ngacmuar më. Ai u dënua me një vit burg nga gjykata.