Pamje të rënda janë regjistruar nga kamerat e një lokali pak ditë më parë, ku një i ri shihet teksa qëllon me thikë dhe dhunon një të moshuar. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Kavajës mbrëmjen e 17 shtatorit dhe sipas abc news, autor i ngjarjes është Rizan Aliu, i cili ka dhunuar dhe masakruar brenda lokalit të moshuarin Besnik Çelmeta.

Sikurse shihet edhe në video ka qenë ora 19:46 minuta kur një person, që sipas të plagosurit është Rizan Aliu, futet brenda lokalit duke e ndjekur.  Ai fillimisht i thotë diçka dhe tenton që ta nxjerrë jashtë, Besnik Çelmeta refuzon dhe ky i fundit e godet disa herë me grushte dhe shkelma dhe më pas në një cep të lokalit nxjerr një mjet, që sipas të plagosurit ishte thikë dhe e qëllon disa herë. Disa persona tentojnë që ta ndalojnë, por autori vijon që ta godasë pa mëshirë. Situata e krijuar në lokal shkakton panik dhe klientët fillojnë të dalin me shpejtësi të alarmuar. Në fund një person futet brenda dhe arrin që ta bindë autorin që të largohet, teksa duket në pamje duke ikur me thikën në dorë.

Debati vijon edhe jashtë disa sekonda më pas autori largohet në shoqërinë e një gruaje dhe një burri. Nipi i të plagosurit akuzon policinë se nuk ka bërë asgjë, ndërsa publikon edhe fotot e Besnik Çelmetës nga spitali me dëmtime të shumta në kokë dhe trup.

“Jetoj në Gjermani dhe punoj si mësues. Para dy ditësh daja im Besnik Çelmeta u godit me thikë nga një kriminel që quhet Rizan Aliu. I cili ka ushtruar ne Itali aktivitete kriminale me prostitucion dhe me pasurine ilegale ka ndertuar shpi 5 kate pa leje  dhe një lokal pa leje ne Kavajë. Ju lutem shifeni vidion dhe foton dhe ju lutemi bejeni publike si policia e korruptuar e Kavajes nuk ben asnje gjë. Personi eshte pare ne shpine e tij serbes dhe policia pin kafe dit per dit ne lokalin e tij ku para vetem 2 ditesh daja im u gjakos gati per vdekje” denoncoi Sildi Çelmeta.

Ndërkohë që burime nga policia pohojnë se autori është shpallur në kërkim prej dy ditësh.