Banorët e plazhit të Semanit në Fier janë terrorizuar pasditen e djeshme nga disa të shtëna me armë zjarri në drejtim të një lokali. Policia thotë se në lidhje me ngjarjen është arrestuar autori Ilir Boriçi 41 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe Artur Dinaj, 38 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor.

“Në datën 21.06.2017, rreth orës 17:50, në bregdetin e Semanit, shtetasi Ilir Boriçi, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në lokalin e shtetasit A.C, 23 vjeç, duke i shkatërruar sendet, pajisjet e lokalit.

Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Artur Dinaj, 38 vjeç, banues në lagjen “Apollonia”, Fier (I dënuar më parë për “Armëmbajtje pa leje” dhe “Prishje të qetësisë publike”). Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” parashikuar nga Nenet 300 dhe 301 të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan shtatë gëzhoja pistolete.