Një mjek në Lezhë është dënuar me një vit burg i konvertuar me dy vite shërbim prove, për veprën penale neglizhencë në trajtimin mjekësor.

Mjeku akuzohet se nuk i ka dhënë ndihmën e duhur një fëmije 3-vjeçar, që humbi jetën në duart e tij.

I pandehuri me iniciale K.M., i është hequr e drejta që të ushtroje funksione publike për një periudhë 2vjeçare.

Po ashtu Gjykata e rrethit Gjyqësor Lezhë ka shpallur të pafajshëm mjekun tjetër me iniciale P.L., ku edhe ndaj tij është ngritur kallëzim për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

Ndaj tij gjykata nuk ka gjetur elemente të veprave penale për të cilën është akuzuar.

Ndërkohë që në seancën gjyqësore avokatët e dy mjekëve kanë kërkuar pushimin e procedimit penal ndaj klientëve të tyre, pasi sipas tyre në dosjen hetimore gjithçka është në kuadrin e dyshimeve dhe akuzat nuk janë të faktuara.

Dy mjeket e spitalit të Lezhës u kallëzuan në prokurori nga familjaret e një fëmijë 3-vjeçar me pretendimin se nuk i kanë dhënë ndihmën e duhur mjekësore i cili humbi jetën më 17 janar të vitit 2017. Sipas dosjes hetimore, fëmija është paraqitur në spitalin e Lezhës me shenja klinike si: hipotoni muskulare, gjendje prej kome, vështirësi në frymëmarrje dhe frymëmarrje të zhurmshme”. Për këto shqetësime fëmija ka marr mjekim në spital dhe më pas është dërguar në shtëpi.

Por një ditë pasi është përcjellë për në shtëpi gjendja e tij shëndetësore është rënduar dhe ai është paraqitur sërish në Spitalin e Lezhës. Ai ka qëndruar disa orë aty dhe mjekët e kanë dërguar drejt Tiranës  ku edhe ndërroi jetën  një ditë më vonë.