“Nuk kam konflikte me askënd. Jam një njeri i lirë. S’kam pasur asnjë shqetësime”. Kështu deklaron administratori i Vllaznisë, Suad Lici, të cilit iu vendos një pako e dyshimtë me eksploziv poshtë mjetit, e cila fatmirësisht nuk shpërtheu.

Në një prononcim për gazetarët nga Shkodra, Lici tha se nuk ka konflikte me askënd, ndërsa theksoi se nëse bëhet fjalë për çështje sporti, krimi duhet të rrijë larg tij. Ai tha se do të vijojë detyrën e tij në këtë klub sportiv.

“Nëse ka pasur probleme me sportin, jam sqaruar. Ja lë në dorë organeve kompetente që të zbardhin ngjarjen. Nuk më tremb jo ngjarje. Do vazhdoj me aktivitetin tim. Nëse është marrëdhënie me sportin, mendoj se njerëzit, çdo strukturë kriminale, duhet të rrijë larg sportit. Pasi ky qytet ka nevojë për shumë gjëra. Jam njeri i lirë dhe pas kësaj ngjarje”, tha Lici.